Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar gjatë ditës se ditëve të fundit janë parë dronë që dyshohen të jenë nga Serbia, në territorin e Kosovës.
Për këtë Hoxha ka thënë se kanë njoftuar edhe KFOR-in.
“Gjatë ditëve të fundit kemi pas fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që vijnë prej territorit të Serbisë në pjesën e veriut të Kosovës. Jemi në kontakt me KFOR-in, Policia është duke e bërë monitorim dhe e shohim se çfarë mund të bëhet” – ka deklaruar Hoxha.
Në një përgjigje për Kallxo.com, KFOR-i ka thënë se nuk ka identifikuar shkelje me dronë që mund të rrezikojnë sigurinë e Kosovës.
“Ne nuk kemi identifikuar shkelje me dronëve që mund të ndikojnë në sigurinë në Kosovë. Komandanti i KFOR-it ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kështu që KFOR rregullisht monitoron hapësirën ajrore të Kosovës, përmes të gjitha mundësive dhe aseteve në dispozicion” – thuhet mes tjerash në përgjigjen e KFOR-it të datës 26.09.2025.
Në përgjigje po ashtu thuhet se është me rëndësi që të gjitha aktivitetet ajrore, në hapësirën ajrore, sidomos afër kufirit duhet që të koordinohen me KFOR-in për të parandaluar tensione dhe për të pasur siguri.
“KFOR-i mbetet në kontakt të afërt me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura të Serbisë” – thuhet tutje në përgjigjen me shkrim.Misioni i KFOR-i thotë se vazhdon që të kontribuojë përmes aktiviteteve të përditshme që të ofroj siguri dhe mjedis të sigurtë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë. Po ashtu, thuhet se vazhdon bashkëpunimi me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in për rolet si reagues të sigurisë.
Bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.