Policia në Mitrovicë të Veriut ka bërë të ditur se në bashkëpunim me zyrtarë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, kanë zhvilluar një aksion në afërsi të sheshit “Car Lazar”.
Në njoftim e policisë bëhet e ditur se në podrumin e një ndërtese kanë sekuestruar armë, municion dhe pajisje tjera ilegale, transmeton Dukagjini.
“Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë ndërmarrë veprime të shpejta operative dhe gjatë kontrollit kanë gjetur dhe konfiskuar: një pushkë automatike, një pushkë gjahu, 50 fishekë, një kondak pushke, një palë pranga, një mbajtës pushke, një maskë kundër helmeve me çantën e saj, një këllëf arme dhe pesë karikatorë të zbrazët”.
Lidhur me rastin është informuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit “Mbajtje në pronësi, kontrollë ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Policia bën të ditur po ashtu se për momentin nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Tutje, bëhet thirrje tek qytetarët që për çdo informacion lidhur me armë ilegale, substanca narkotike apo veprimtari të tjera të kundërligjshme ta raportojnë menjëherë përmes numrit 192 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.