Së paku 12 objekte publike, të komunës së Junikut dhe Bashkisë së Mirditës, kryesisht shkolla, çerdhe, objekte të qendrave të mjekësisë familjare dhe objekte të administratës komunale, në të cilat konsumi i energjisë është shumë i lartë, janë përfituese të një projekti të përbashkët ndërkufitar Shqipëri-Kosovë.
Asistenca e paraaderimit (IPA II), projekt ky i financuar nga fondet e Bashkimit evropian, në të cilat do të vendosen panele solare me energji të rinovueshme.
“Ky projekt ka të bëjë me efikasitetin e energjisë, mbrojtjen e mjedisit dhe sigurisht është një përparësi kyçe për BE-në në përgjithësi por edhe për këtë rajon, siç pasqyrohet në agjendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Ky kalim në një shoqëri neutrale ndaj klimës është sigurisht një sfidë e madhe, por duhet parë edhe si një mundësi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”, ka thënë Jean Noel Gangloff, përfaqësues i Bashkimit Evropian.
Elvis Ndreka, menaxher i këtij projekti, tha se në këtë mënyrë do të arrihet reduktimi i kostove të këtyre objekteve dhe po ashtu reduktimi i emetimeve të karbonit dhe ndotja e cila shkaktohet aktualisht nga përdorimi i lëndëve djegëse.
“Gjithashtu një element tjetër që duhet përmendur është përfshirja e të rinjve në projekt, pra ka një element që është sensibilizimi apo ndërgjegjësimi i të rinjve dhe jo vetëm, edhe i komunitetit në përgjithësi për komunitetet lokale. Kishte energji shumë të mira, dëshirë nga fëmijët me punime artistike për të shpjeguar punimet e tyre për të dhënë qasje për mënyrën se si ata e mendojnë zhvillimin e qëndrueshëm, jetesën më të mirë, ajrin më të pastër, energji të renovueshme etj”, ka thënë Elvis Ndreka, menaxher i projektit EFFORT.
“Qëllimi i këtij projekti është që ta ruajmë ambientin apo mjedisin e pastër që e ka komuna e Junikut, gjithashtu synojmë se përmes vendosjes së paneleve solare të ulim koston e shpenzimeve të energjisë elektrike ndërsa ato mjete të cilat kursehen t’i investojmë në voja të tjera për qytetarët e komunës së Junikut”, ka thënë Demokrat Ganijaj, koordinator i projektit.
Objektivi i përgjithshëm i projektit i cili pritet të përfundojë brenda një viti është përmirësimi i efiçiencës energjetike të ndërtesave publike, duke instaluar pajisje inovative në funksion të përmirësimit të jetës së komunitetit.