Reagon shoqëria civile në Luginë: Plani 7-pikësh, jo i tejkaluar por detyrim

Organizatat e shoqërisë civile në Luginën e Preshevës e kanë cilësuar si të papranueshme dhe të dëmshme deklaratën e ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Demo Berisha, i cili gjatë vizitës në Bujanoc tha se “Plani 7-pikësh është tejkaluar”.

Në reagimin e postuar në Facebook, nga Ragmi Mustafi, ish-kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Serbi, thuhet se ky plan, i miratuar nga Qeveria e Serbisë në vitin 2013 pas negociatave të gjata dhe me mbështetje të faktorit ndërkombëtar, mbetet dokument detyrues që adreson çështje thelbësore për shqiptarët e Luginës, si përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, përfaqësimi proporcional, arsimi dhe zhvillimi ekonomik.

Sipas shoqërisë civile, çdo tentativë për relativizimin e planit nënkupton zvarritje të zbatimit të tij dhe krijim të status quo-së në dëm të qytetarëve shqiptarë. Ata theksojnë se çdo dokument i ri mund të shihet vetëm si shtesë apo aneks, por jo si zëvendësim i Planit 7-pikësh.

Në fund, organizatat bëjnë thirrje për unitet politik dhe shoqëror në Luginë dhe u drejtohen institucioneve vendore, qeverisë së Serbisë dhe faktorëve ndërkombëtarë që të mos shmangin obligimet nga ky plan.

Të fundit nga rubrika