Ismaili premton vendime të menjëhershme për Prishtinën

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, në një intervistë në FIVE të TV Dukagjinit, ka thënë se dallimi i tij nga kandidatët e tjerë është qasja konkrete për një mandat katërvjeçar, duke u fokusuar në punë të menjëhershme dhe të prekshme për qytetarët.

Ismaili përmendi trafikun si një ndër prioritetet kryesore, duke paralajmëruar hapjen e sheshit ‘Xhorxh Bush’ dhe themelimin e një qendre digjitale për menaxhimin e trafikut.

“E para është me iu tregu qytetarëve, që unë do të merrem me punët e Prishtinës që janë me rëndësi për ta që nga dita e parë. Çka me dallon mua nga kandidatët e tjerë është se ata flasim për mandatet 8-vjeçare ose 10, unë flas për një mandat që që nga dita e parë fillon me i realizu punët që janë të rëndësishëm për qytetin dhe që i mënjanon problemet të cilat i kemi cdo ditë. Psh, e kemi çështjen me trafikun, që duhet me u marrë. Ndikimi në trafik të ndihet që n ditën e parë, qoftë me hapjen e sheshit ‘Xhorxh Bush’, qoftë me themelimin e qendrës digjitale të menaxhimit të trafikut.

Pra janë disa vendime të cilat prekin çdo ditë jetën e qytetarëve. Vendimet që kanë të bëjnë me ndriçimin. Se Prishtina ka rreth 70 për qind të rrugëve të pandrequra. Dhe ne duhet t’i ndriçojmë Prishtinën.  Krijimi i task-forës që të filloj ndriçimi i 1 mijë rrugëve në Prishtinë… (Vendimet e para) Trafiku, ndriçimi, pastërtia – blerja e 60 kamionëve, rritja e sigurisë – 200 oficerë të sigurisë në shkollat tona, qentë endacakë – ndërtimi i strehimores për qentë endacak, dyfishimi i subvencioneve për bujqësi dhe agroturizëm. Pra kur i sheh vendimet e mija nënkupto vendime që prekin direkt jetën e qytetarëve”, ka thënë Ismaili.

Të fundit nga rubrika