Kryeministri hungarez Viktor Orban ka nisur “një sulm” ndaj shumicës së udhëheqësve të Bashkimit Evropian, pas planeve për të kundërshtuar ndërhyrjet ruse në hapësirat ajrore të vendeve anëtare, të diskutuar në samitin e BE-së në Kopenhagen.
Me mbërritjen në takimin e Komunitetit Politik Evropian të enjten, Orban deklaroi se “BE-ja ka vendosur të shkojë në luftë”.
Ai e përshkroi strategjinë e prezantuar në samitin informal të BE-së të mërkurën si “të tmerrshme” dhe kritikoi vendimet për rritjen e mbështetjes për teknologjinë e dronëve dhe anti-dronëve, si dhe për përdorimin e aseteve ruse për t’i dhënë hua Ukrainës.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, konfirmoi se udhëheqësit e BE-së mbështetën “projektet prioritare që do të forcojnë sigurinë e Evropës”, përfshirë “murin evropian të dronëve” dhe Mbikëqyrjen e Krahut Lindor.
Ndërkohë, Orban theksoi se këto masa janë të dëmshme për Hungarinë dhe Bashkimin Evropian në përgjithësi. Ai njoftoi nisjen e një peticioni kundër “planeve të luftës të BE-së” dhe paralajmëroi se partia e tij, Fidesz, do të organizojë një fushatë nënshkrimesh për të kundërshtuar këto politika.
“Presioni është i madh, prandaj do t’i sugjeroj presidencës së Fidesz që të fillojmë një fushatë në Hungari kundër këtyre planeve. Na duhet gjithë fuqia për të qëndruar jashtë kësaj lufte,” tha kryeministri hungarez.