A e votojnë kandidatin e Listës Serbe? Vetëvendosje jo, partitë tjera s’kanë përgjigje

Lëvizja Vetëvendosje është partia e vetme e cila deri tash publikisht thotë se nuk do ta përkrah asnjë deputet të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit. Për dallim nga ta, asnjëra nga partitë e ish-bllokut opozitar nuk e ka një qëndrim të qartë nëse votojnë pro ose kundër propozimit të Listës Serbe, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Përkundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Adnan Rrustemi ka paralajmëruar se, për nënkryetar të Kuvendit, partia e tij Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta votojë asnjë deputet të Listës Serbe.

Arlind Manxhuka, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, për TV Dukagjini, sot tha se ky qëndrim mbetet i pandryshuar.

Por, partitë tjera nuk e kanë krejt të qartë qëndrimin.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Krenar Xhaferi, u shpreh se pas aktgjykimit final do të bëjnë analiza dhe do t’i kenë të kjartë hapat në vijim teksa shtoi se është e rëndësishme që të konstituohet Kuvendi.

“Atë që kemi pa nuk është ende finale, thjesht aktgjykimi final, publikimi i saj, na sqaron situatën në të cilën jemi, dhe unë besoj që pas këtij aktgjykimi, final analiza që do t’i bëjmë edhe do t’i kemi hapat në vazhdim. Është shumë e rëndësishme që të konstituohet Kuvendi, të ecet me institucione jemi 8 muaj pas edhe normalisht që kjo situatë është e pa-pranueshme si logjikë politike që ka ndodhur”, u shpreh Xhaferi.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, u shpreh se qëndrimi i tyre do të jetë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

“Ne do të mblidhemi si GP do ta shqyrtojmë në përpikmëri edhe aktgjykimin, dhe do të japim edhe qëndrimet ton si subjekt politik, por ajo që duhet të thuhet është që qëndrimi i PDK-së do të jetë në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me rregulloren e Kuvendit siç kemi vepruar tash e sa kohë brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës”, u shpreh Deliu-Kodra.

Përgjigje të përafërt me ta ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por duke e theksuar qëndrimin se nuk iu takon që t’i japim votë nënkryetarit, sepse vlerësojnë se këtë përgjegjësi e ka partia fituese e zgjedhjeve.

“Problematika është tek LVV po jo te partitë tjera dhe pikërisht LVV është duke e sabotuar konstituimin e Kuvendit, ne nuk e kemi ndonjë detyrim t’i përkrahim, sigurisht se votat tona, do të votojmë, por nuk e mendoj se është detyrë e jonja të votojmë për njërin nënkryetar të Kuvendit, ose t’i japim votë pro, derisa Lëvizja Vetëvendosje është sabotuese dhe bllokuese…”, u shpreh Kadrijaj.

TV Dukagjini ka tentuar të marr një qëndrim edhe nga Nenad Rashiqi, i vetmi deputet serb që nuk është pjesë e Listës Serbe, por i njëjti nuk është përgjigjur.

Afati 12 ditor, gjatë së cilit Gjykata Kushtetuese i ka urdhëruar 120 deputetë që ta zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb, nis të rrjedh në momentin që aktgjykimi i plotë publikohet në Gazetën Zyrtare.

Të fundit nga rubrika