Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me Admiral Stuart B. Munsch, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.
Osmani gjatë këtij takimi vlerësoi lartë rolin e KFOR-it dhe angazhimin në garantimin e paqes dhe sigurisë për qytetarët e Kosovës, duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it është jetik për stabilitetin dhe sigurinë në vend, njofton Dukagjini.
Tutje, e para e shtetit theksoi se Kosova mbetet plotësisht e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike, duke ndërtuar Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe duke përmbushur të gjitha zotimet ndaj Aleancës.
Në takim, Osmani vuri në pah sfidat e sigurisë në veri të vendit dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, duke theksuar rëndësinë e rolit të KFOR-it si faktor i rëndësishëm për parandalimin e eskalimeve dhe ruajtjen e paqes.