Në gjykimin ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve për vrasjen e Liridona Ademajt, i akuzuari Murseli ka deklaruar se, sipas Prokurorisë, ai ka mbajtur tani të ndjerën për të mos iu shmangur plumbit.
Ai e pyeti ekspertin mjeko-ligjor nëse raporti i autopsisë tregon të njëjtën gjë.
“Në kushte normale unë nuk kam nevojë as për të bërë pyetje, sepse nuk besoj që një shenjë në dorë, e cila nuk ka qenë prezente në momentin e vrasjes, por prokuroria në aktakuzën e saj pohon që kjo shenjë është shkaktuar nga unë, sepse sipas saj kam mbajtur bashkëshorten time për të mos iu shmangur plumbit. A e vërteton kjo që unë e kam mbajtur gruan time në momentin e vrasjes?”, pyeti ai.
Eksperti Naim Uka u shpreh se mjekët ligjorë nuk paragjykojnë pozitat apo situatat që kanë mundur të jenë në momentin e vrasjes.
“Mjeku ligjor nuk paragjykon pozita apo situata të cilat kanë mundur të jenë në momentin e vrasjes”.
Sipas tij, “detyra e mjekut ligjor është të bëjë përshkrimin e qartë të çdo dëmtimi trupor, duke i përshkruar karakteristikat e lëndimeve të gjetura, në bazë të të cilave bëhet interpretimi për prokurorinë dhe trupin gjykues”.
Uka shtoi se është “normale që në një raport të autopsisë të shënohen pohime të tilla”.
Murseli gjithashtu e pyeti nëse lëndimi mund të jetë shkaktuar 59 minuta ose vetëm 10 sekonda para vdekjes. Eksperti u përgjigj se lëndimi ka mundur të ndodhë deri në tre orë para vdekjes.
Ai po ashtu theksoi se nuk mund të përjashtohet mundësia e vetëlëndimit gjatë një tentative për t’u shpëtuar, por që kjo nuk është detyrë e tij për të vlerësuar.
Seanca pritet të vazhdojë pasdite me dëgjimin e dëshmitarëve.
Zbulohen detaje nga autopsia, dëshmon eksperti mjeko-ligjor në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt