Vuçiq premton 400 vende pune, Rashiq: Do t’i paguajnë njerëzit që votojnë për Listën Serbe

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, serbëve që jetojnë në Kosovë iu ka premtuar se në 10 ditët e ardhshme në sektorin e shëndetësisë do t’i hapin 400 vende të reja pune. Ky premtim sipas deputetit Nenad Rashiq është strategji që Beogradi e ndjekë në çdo palë zgjedhje, dhe madje sipas tij janë mobilizuar që në mbështetje të Listës Serbe, nga Serbia për në Kosovë t’i dërgojnë mijëra votuese me autobusë, me ushqim me vete, duke i paguar me rreth 100 euro për një votë

Aleksandar Vuçiq është President i Serbisë, por 7 ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë, serbëve që jetojnë këtu, iu ka premtuar se në 10 ditët e ardhshme, do t’i hapin 400 vende pune në sektorin e shëndetësisë, në territorin e Kosovës.

Ky premtim as nuk është veprim i paparë më herët e as nuk është i papritur për Nenad Rashiqin, deputetin e vetëm serb, që haptas e kundërshton Vuçiqin.

Ministri në detyrë i pushtetit lokal, për TV Dukagjini tha se në çdo palë zgjedhje regjimi në Beograd premton qindra vende pune, e më pas konkurset përmbyllen me dhjetëra punësime të njerëzve që kanë lidhje me Listën Serbe.

Premtimi i vendeve të punës është vetëm njëra pjesë e planit për ndikim në zgjedhjet në Kosovë.

“Po ju nëse i përcjellin disa media të Serbisë, Petkoviq shembull këto ditë, në javën e kaluar, dhe jam i sigurt se do të vazhdojë edhe këtë javë, ka vizituar këto qendra i ka ftuar që ta kenë takime iu kanë ofruar saktë siç thash më herët transportin, ushqimin dhe mëditje parash. Sa? Unë e di se iu kanë thënë nga 100 euro secili person që vjen këtu të votojë prandaj merreni me rezerva se nuk ka me qenë aty por sa i kam dëgju unë informacionet jo-zyrtare ashtu po i ftojnë”, ka thënë Nenad Rashiq – Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim.

Premtimi i Vuçiqit e prek fushën e shëndetësisë dhe arsimit, ndoshta dy fushat e vetme në të cilat Serbia ka ndikim dhe kontroll të plotë.

Studiuesi i konfliktit dhe medias, Abit Hoxha, thotë se ky deklarim është taktizim politik por edhe veprim që ka për synim ta prekë fushën e sigurisë.

“Vuçiqi llogarit në gabimet që i bën shteti i Kosovës, gabimet qoftë edhe këto të intervenimit, qoftë edhe këto kur nuk komunikohet mirë me BE-në, qoftë edhe këto kur institucionet e Kosovë bojnë pre, institucionet e Kosovës bijnë pre e provokimeve të tilla që të reagojnë, të shkaktojnë reagim më tepër prej institucioneve të BE-së, është çështje e njëfarë bullizmit politik por jo me potencialin që don me qenë, por me potencialin që do ta bëjë. Vuçiqi është njëfarë bulli politik i Kosovës, por Kosovë nuk duhet të bijë pre e provokimit të tillë”, ka thënë Abit Hoxha – Studiues i konfliktit dhe medias.

Në fillim të shtatorit, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati, kishte deklaruar se përfundimisht, në konsultim me komunitetin serb, institucionet paralele të udhëhequra nga Serbia, duhet të integrohen në sistemin e Kosovës.

Të fundit nga rubrika