Dy persona janë arrestuar të martën në Prishtinë, nën dyshimin për veprën penale “Falsifikim i parasë”, njofton Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas njoftimit, arrestimi është bërë në orët e mbrëmjes, me urdhër të Prokurorisë Speciale dhe në bazë të hetimeve disa mujore të zhvilluara nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale.
Gjatë operacionit policor, në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë, është ndaluar një veturë në të cilën ndodheshin të dyshuarit S.T. dhe A.Th..
Pas kontrollit të automjetit, janë gjetur dhe sekuestruar 40 mijë euro të falsifikuara, të cilat, sipas testimit fillestar, kanë rezultuar jo origjinale.
Hetuesit kanë zhvilluar kontrolle edhe në dy lokacione të tjera – në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të banimit të të dyshuarve.
Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.