Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka publikuar rezultatet paraprake për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, prezantoi rezultatet për secilën komunë përmes platformës online të KQZ-së, që tregon votat në kohë reale.
Radoniqi bëri të ditur se numërimi i plotë në Qendrat Komunale të Numërimit për Kuvendet Komunale do të fillojë nesër dhe se brenda javës do të publikohen rezultat përfundimtare.
“Ora e fillimit të numërimit do të jetë 12:00 në mesditë, ndërsa në disa vende mund të fillojë në orën 16:00. Besoj se brenda kësaj jave do t’i kemi rezultatet përfundimtare”, tha ai.
Ai gjithashtu shtoi se platforma online, e mbështetur nga Britania e Madhe, po funksionon normalisht dhe ka shërbyer më shumë se 3.5 milionë vizitorë unikë gjatë ditës së sotme, duke ofruar informacione të përditësuara në kohë reale.