Federata e Futbollit të Suedisë ka njoftuar sot shkarkimin e Jon Dahl Tomasson nga posti i përzgjedhësit të Kombëtares së Suedisë, pas rezultateve të dobëta në kualifikimet për Kupën e Botës 2026.
Vendimi u mor vetëm një ditë pas humbjes 1:0 ndaj Kosovës në ndeshjen e zhvilluar në Goteborg, ku golin vendimtar për “Dardanët” e shënoi Fisnik Asllani.
Suedia kishte pësuar humbje edhe në ndeshjen e parë ndaj Kosovës më 8 shtator në Prishtinë.
Në njoftimin zyrtar të Federatës suedeze thuhet se “vendimi është marrë pas një analize të kujdesshme të rezultateve të deritashme dhe mungesës së progresit në garën kualifikuese për Botërorin 2026”.
Tomasson, i cili mori drejtimin e Suedisë në fillim të vitit 2024, largohet pas një serie rezultatesh zhgënjyese që e kanë lënë përfaqësuesen skandinave me shumë pak gjasa për të siguruar kualifikimin në Botërorin e ardhshëm.