Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rolin e rëndësishëm të Francës në sigurinë e Evropës dhe kontributin e saj në Ballkanin Perëndimor, gjatë një takimi me ministrin francez të deleguar për Evropën, Benjamin Haddad.
Takimi u zhvillua në margjina të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Londër, ku u diskutua për thellimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Francës, zhvillimet rajonale, çështjet e sigurisë dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Kurti ka nënvizuar nevojën që Bashkimi Evropian t’i dorëzojë Kosovës pyetësorin për anëtarësim dhe t’i japë statusin e vendit kandidat.
Ai ka falënderuar Francën për mbështetjen e vazhdueshme dhe për partneritetin mes dy vendeve, duke theksuar se “vlerat e përbashkëta krijojnë mundësi për zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë”.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, Kurti është takuar edhe me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, me të cilin ka biseduar për sigurinë dhe çështjet e migracionit.