Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër shtetasit turk M.G., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Sipas aktakuzës, ngjarja e rëndë ka ndodhur më 6 maj 2025, rreth orës 05:30 të mëngjesit, në rrugën “Shote Galica” në Prizren.
I pandehuri, menjëherë pas faljes së namazit të mëngjesit, ka marrë një thikë kuzhine me teh rreth 23 centimetra dhe ka sulmuar vajzën e tij 15-vjeçare, viktimën Sh.G., e cila ishte në gjumë.
Ai e ka goditur atë në qafë, duke i shkaktuar plagë të rënda nga të cilat viktima ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Në përpjekje për ta ndalur, vajza tjetër e tij, A.G., është plagosur rëndë, ndërsa edhe bashkëshortja e të pandehurit, R.G., ka pësuar lëndime në fytyrë dhe në dorë.
“I pandehuri, duke shfrytëzuar momentin kur vajzat ishin në gjumë, afrohet pranë shtratit dhe e sulmon me thikë viktimën Sh.G., duke e prerë në qafë. Në momentin kur viktima Sh.G., fillon të bërtasë zgjohet nga gjumi e dëmtuara -vajza tjetër A.G., e cila tenton ta pengojë të pandehurin në veprimet e tij. I pandehuri më pas e godet edhe atë me të njëjtën thikë, duke i shkaktuar plagë prerëse dhe shpuese në të dy anët e qafës. Nga klithmat e vajzave zgjohet edhe bashkëshortja e tij, R.G., e cila hynë në sallon dhe tenton ta ndalojë të pandehurin, gjatë së cilës pëson lëndime në fytyrë dhe në dorën e majtë. Pas një përleshjeje të shkurtër, e dëmtuara R.G., ka arrinë ta shtyjë të pandehurin në dhomën e gjumit, ku e mbyll dhe bllokon derën me orendi, duke siguruar kështu mundësinë për të telefonuar për ndihmë”, thuhet nga Prokuroria.
Ajo ka arritur ta mbyllë të pandehurin në dhomën e gjumit dhe të kërkojë ndihmë.
Prokuroria ka propozuar që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri M.G. të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale “Vrasje e rëndë”.