Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, ka shkaktuar polemika pas deklaratës së tij për Arabinë Saudite, duke refuzuar idenë e normalizimit të marrëdhënieve nëse kjo do të përfshinte krijimin e një shteti palestinez.
Gjatë një konference të organizuar nga Instituti Zomet dhe gazeta “Makor Rishon”, Smotrich u shpreh me përçmim ndaj sauditëve.
“Nëse Arabia Saudite na thotë ‘normalizim në këmbim të një shteti palestinez’, miq — jo, faleminderit. Vazhdoni të hipni mbi deve në shkretëtirën e Arabisë Saudite dhe ne do të vazhdojmë të zhvillohemi me ekonominë, shoqërinë dhe shtetin dhe gjërat e mëdha që dimë të bëjmë”, ka thënë ai, shkruan “The Times of Israel“.
Deklarata e tij u prit me kritika nga opozita izraelite, e cila e akuzoi për injorancë dhe për dëm diplomatik ndaj interesave të vendit. Kreu i opozitës, Yair Lapid, tha se “në vend që të avancojë marrëveshje që mund të ndryshojnë Lindjen e Mesme, qeveria po bën deklarata të dëmshme që e izolojnë Izraelin”.
Smotrich kërkoi falje disa orë më vonë, duke pranuar se komentet e tij ishin “absolutisht të papërshtatshme” dhe se nuk kishte dashur të fyejë askënd. Megjithatë, ai theksoi se “pret nga sauditët të mos mohojnë të drejtat historike të popullit hebre mbi tokën e tyre”.
Reagimet nuk erdhën vetëm nga brenda Izraelit. Arabia Saudite dënoi vendimin e Knessetit për projektligjin që mundëson aneksimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor, duke e quajtur “përpjekje për të legjitimuar vendbanimet e paligjshme”. Riadi përsëriti qëndrimin e tij se normalizimi do të jetë i mundur vetëm nëse Izraeli pranon një rrugë drejt shtetit palestinez me kufijtë e vitit 1967 dhe Jerusalemin Lindor si kryeqytet.