Një grup i viktimave të premtën bëri të ditur pretendimet se rreth 4,400 persona janë abuzuar nga priftërinjtë katolikë në Itali në rastet e raportuara që nga viti 2020,
Numri jozyrtar nga Rete l’Abuso, grupi më i madh i viktimave të abuzimit në kishë në Itali, bazohet në rrëfimet e viktimave, burimet gjyqësore dhe rastet e raportuara nga media, tha themeluesi i shoqatës Francesco Zanardi, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Kisha Katolike globale është tronditur për dekada të tëra nga skandalet që përfshijnë priftërinj pedofilë dhe mbulimin e krimeve të tyre, por udhëheqësit lokalë të kishave në Itali kanë qenë më pak të hapur në përballjen me këtë çështje.
Papa i ri Leo, i cili u takua me të mbijetuarit e abuzimit seksual nga kleri për herë të parë këtë javë, u ka thënë peshkopëve më të rinj të Kishës të mos i fshehin akuzat për sjellje të pahijshme. Paraardhësi i tij, i ndjeri Papa Françesku, e bëri adresimin e çështjes një përparësi të papatit të tij 12-vjeçar, por me rezultate të përziera.
Në një raport jashtëzakonisht kritik mbi çështjen të publikuar më 16 tetor, komisioni i Vatikanit për mbrojtjen e fëmijëve tha se vetëm 81 nga 226 dioqezat e Italisë iu përgjigjën një pyetësori në lidhje me praktikat mbrojtëse që kishte hartuar.
Rete l’Abuso tha se kishte dokumentuar 1,250 raste të dyshuara abuzimi – disa me viktima të shumëfishta – duke përfshirë 1,106 raste si të kryera nga priftërinj, ndërsa pjesa tjetër i atribuohet murgeshave, mësuesve të fesë, vullnetarëve laikë, edukatorëve dhe anëtarëve të skautëve.
Raporti i saj përmbante raste që lidheshin me 4,625 viktima – ose të mbijetuar, siç i quan shoqata – duke përfshirë 4,395 të abuzuar nga priftërinjtë.
Raporti tha se 4,451 nga të mbijetuarit ishin nën 18 vjeç, dhe një numër pothuajse po aq i madh prej 4,108 – ishin meshkuj, tha Rete l’Abuso, duke shtuar se pesë murgesha, 156 të rritur të cenueshëm dhe 11 persona me aftësi të kufizuara ishin gjithashtu midis viktimave.
Sipas shoqatës, nga 1,106 priftërinj të dyshuar vetëm 76 iu nënshtruan gjyqeve kishtare, me 17 të pezulluar përkohësisht, shtatë të zhvendosur në famulli të tjera dhe 18 dhanë dorëheqjen nga priftëria.