Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se çështja e energjisë elektrike po hetohet nga Prokuroria Speciale.
Bajrami, mes tjerash, ka njoftuar se në fillim të këtij muaji ka dhënë dëshminë e saj në Prokurorinë Speciale, për atë që ajo e quan ‘mafi energjetike’, njofton Dukagjini.
Mes tjerash, rritjen e çmimit të rrymës, Bajrami e quan dhuratë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Qytetarët këto ditë po marrin faturat e energjisë elektrike, fatura që po varfëron buxhetin e secilës familje. Tetori s’ka qenë aspak i ftohtë, por secili prej tyre tashmë brengoset: sa do të jetë fatura në nëntor, dhjetor e janar?. Mos harroni kurrë: Gjatë këtij mandati, çmimi i energjisë elektrike u dyfishua për familjet dhe u trefishua për bizneset. Bashkë me rritjen e çmimit të energjisë, u rritën edhe çmimet e çdo produkti vendor dhe kjo hapi rrugën për rritjen e çmimeve të importeve. Kjo është dhurata e drejtpërdrejtë e politikave të Kurtit, politikë që pasuron disa dhe po varfëron secilën familje në Kosovë”, ka shkruaj Bajrami.