Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka sqaruar qëndrimin e saj lidhur me mundësinë e mandatimit të dytë të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas dështimit për të formuar qeverinë më 26 tetor.
Në një deklaratë për media, Osmani tha se aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të viteve 2014, 2020 dhe 2021 e përcaktojnë qartë se në rastin e dytë, presidentja “duhet ta caktojë mandatarin tjetër”.
Megjithatë, Osmani pranoi se një rregull i tillë nuk është gjithmonë logjik në praktikën politike, pasi rrethanat mund të ndryshojnë dhe një mandatar që sot nuk i ka votat, mund t’i sigurojë ato pas disa ditësh apo javësh.
“Këto aktgjykime, me vetë faktin që përmendin mandatarin tjetër, interpretimi ynë është që nënkupton mandatar tjetër. A më duket e logjikshme një gjë e tillë, nuk më duket aspak për një arsye shumë të thjeshtë: një mandatar ndoshta sot nuk i ka votat por mund t’i krijojë pas dy muajsh, pas dy javës”, ka thënë Osmani.
Presidentja shtoi se, pavarësisht interpretimeve të mundshme, zyra e saj është e detyruar të zbatojë në përpikëri aktgjykimet e Kushtetueses.
