Edhe Nisma Socialdemokrate ka theksuar se Kuvendi i Kosovës nuk ka shumicë parlamentare dhe se zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e reja.
Sipas Nismës, përpjekjet e vazhdueshme për të zgjatur pushtetin pa shumicë dhe pa legjitimitet politik kanë thelluar krizën.
“Në takimin e fundit me Presidenten e Republikës, të gjitha partitë politike e kanë shprehur qartë se në këtë Kuvend nuk ekziston shumicë parlamentare dhe zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e reja. Situata kërkon veprim të qartë dhe të shpejtë institucional. Presidentja e Republikës ka detyrim kushtetues të respektojë vullnetin e subjekteve politike, i cili tashmë është deponuar zyrtarisht”, thuhet në reagimin e Nismës.
Po ashtu, Nisma ka ftuar presidenten që të mos bëhet pjesë e zvarritjeve politike apo interpretimeve arbitrare që rrezikojnë parimet kushtetuese dhe krijojnë tensione të panevojshme, duke theksuar se roli i saj është të garantojë unitetin kushtetues dhe funksionimin demokratik të shtetit.