Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka kritikuar qeverisjen 12-vjeçare të AAK-së në këtë komunë, duke e cilësuar si shembull të keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit të buxhetit.
Ai tha se për shtratin e lumit Erenik, i cili ka kushtuar rreth 2 milion euro, nuk ka pasur rezultate dhe gjendja e tij sot është e tmerrshme.
Shehu përmendi gjithashtu realizimet e mandatit të tij të parë katërvjeçar, duke përfshirë ndërtimin e rrugës së Rastavicës, rrugës së bjeshkës, rrugëve lokale dhe rrugicave, çerdhën e parë, shkollën “Edmond Hoxha”, sigurimin e shërbimeve mjekësore 24/7 në QKMF, vendosjen e kamerave dhe sinjalizimit, si dhe shpërndarjen e bursave dhe subvencioneve.
Ai bëri të ditur se në total janë realizuar mbi 11 milion euro projekte kapitale, të cilat, sipas tij, janë planifikuar dhe ekzekutuar me profesionalizëm dhe pa afera apo skandale.
“Prandaj më 9 nëntor në mbrëmje, Juniku do të ndriqohet nga fishekzjarret e festës tonë të fitores. Ndërsa më 10 nëntor, do të vazhdojmë me punët që na presin gjatë mandatit të dytë, për të mirën e të gjithë junikasve pa dallim. Transformimi i Junikut nuk mund të ndalet nga servilët apo patericat e tyre”, ka shkruar tutje ai në Facebook.