Qeveria e Afrikës së Jugut ka njoftuar të enjten se po punon për kthimin në vend të 17 shtetasve të saj, të cilët janë përfshirë si mercenarë në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.
Në njoftim thuhet se këta persona, të moshës midis 20 dhe 39 vjeç, ishin joshur të merrnin pjesë në luftë përmes kontratave të rreme punësimi me pagesa të majme dhe aktualisht ndodhen të ngujuar në rajonin e shkatërruar nga luftimet në Donbas, raporton REL përcjell Dukagjini.
“Presidenti Cyril Ramaphosa ka urdhëruar zhvillimin e një hetimi të plotë mbi rrethanat që çuan në rekrutimin e këtyre të rinjve në veprimtari mercenare,” thuhet në komunikatën zyrtare.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur për cilën palë po luftonin qytetarët e tyre. Sipas ligjit të Afrikës së Jugut, qytetarëve u ndalohet të marrin pjesë në operacione ushtarake të huaja ose të ndihmojnë një qeveri tjetër në konflikt pa autorizim zyrtar.
Qeveria kujtoi gjithashtu se në gusht kishte paralajmëruar të rinjtë të mos binin pre e ofertave të rreme të punës që qarkullonin në rrjete sociale, veçanërisht në Rusi, pas raportimeve se disa gra afrikanojugore ishin mashtruar për të punuar në prodhimin e dronëve.