Mosmarrëveshje me familjen e bashkëshortes kishte shpeshherë.
Por, këtë të enjte kur kishte shkuar ta marrë gruan tek familja e saj, dhëndri Astrit Isufi dyshohet se qëlloi për vdekje me armë zjarri dy vëllezërit e saj, mu para shtëpisë në Golluboc të Malishevës.
Sipas informacioneve zyrtare, ajo çka kishte çuar deri tek vrasja ishte një mosmarrëveshje mes palëve.
Hetuesit bashkë me forenzikën qëndruan për orë të tëra në vendngjarje.
Por i rezervuar në detaje u tregua Kryeprokurori i Gjakovës.
“Kryerësi i kësaj vepre penale është ende në arrati…”, ka deklaruar Enis Gashi – Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
Sipas mjekut Festim Sylejemani në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë, dy vëllezërit kishin arritur pa shenja jete, secili me nga dy plagë të shkaktuara nga plumbat.
“Pacientin e parë, Naimin, e kam ekzaminuar; nuk ka pasur shenja jete fare. Nuk ka pasur parametra vitalë. Ka pasur dy plumba në pjesën e gjoksit. Pacienti i dytë, Driton Morina, plagët i ka pasur në regio epigastrica (pjesa e sipërme e barkut) dhe në regio pectoralis superior lateralis dextra (pjesa e sipërme e kraharorit, ana e djathtë)”, ka deklaruar Festim Sylejmani – Mjek i Urgjencës – Malishevë.
I dyshuari Isufi veçse ishte emër i njohur për organet e rendit.
Në prill të këtij viti, të njëjtit i ishte ngritur aktakuzë për dhunë në familje por nuk ka informacione sa kishte qëndruar në paraburgim.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se prokurori i shtetit, ndaj personit të dyshuar A.I., më datë 06.04.2025, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, e cila të njëjtit i është caktuar nga gjykata kompetente. Po ashtu, më datë 07.04.2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.I., për veprat penale “Dhunë në familje”, sipas nenit 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Kanosje”, në bazë të nenit 181 të KPRK-së”, ka deklaruar Kaltrina Shala – Zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Gjersa ekipet e forenzikës mblidhnin provat, ato të Policisë së Kosovës së bashku me njësitin K9 po vazhdonin kërkimin në zonat përreth.
