Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar tetë raste të dhunës në familje në komuna të ndryshme të vendit.
Në disa prej rasteve të raportuara, të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa në raste të tjera janë liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Në Gllogoc, është arrestuar një burrë kosovar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht prindërit e tij dhe i ka larguar nga shtëpia. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Ferizaj, një grua ka raportuar presion psikik nga bashkëshorti i saj. Gjatë intervistimit, i dyshuari ka pranuar se posedon armë zjarri. Policia ka konfiskuar armën, katër karikatorë, 235 fishekë dhe lejen për posedim. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në Pejë, është arrestuar një burrë që kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Istog, një grua ka raportuar se po ngacmohet dhe shqetësohet nga një ish-partner. Rasti është njoftuar te prokurori, por nuk raportohet për të arrestuar. Në një rast tjetër në të njëjtën komunë, janë arrestuar dy persona – një femër dhe një mashkull – pasi kanë sulmuar fizikisht një grua. Të dyshuarit kanë pranuar veprën dhe janë liruar në procedurë të rregullt.
Në Gjakovë, është arrestuar një burrë që kishte sulmuar fizikisht motrën e tij. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit.
Në Rahovec, policia ka arrestuar një burrë që kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij. Me vendim të prokurorit, atij i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe është dërguar në spitalin psikiatrik të Gjakovës.
Në Malishevë, një burrë është arrestuar për ushtrim të dhunës psikike ndaj bashkëshortes së tij. Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.