Autoritetet meteorologjike të Filipineve kanë lëshuar paralajmërime emergjente këtë të shtunë për dallgë deri në pesë metra lartësi dhe erëra të fuqishme, ndërsa tajfuni masiv Fung-wong po i afrohet bregut lindor të vendit dhe pritet të forcohet më tej përpara goditjes në tokë të dielën në mbrëmje.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (PAGASA), tajfuni – i njohur lokalisht si Uwan – ka një rreze ndikimi prej rreth 1,500 kilometrash, duke sjellë reshje të dendura dhe erëra të forta në pjesën lindore të arkipelagut.
“Ky tajfun mund të mbulojë pothuajse të gjithë territorin e vendit,” deklaroi meteorologu Benison Estareja gjatë një konference për shtyp.
Aktualisht, Fung-wong po lëviz me erëra të qëndrueshme prej 140 km/h dhe me furtuna që arrijnë deri në 170 km/h, ndërsa parashikimet tregojnë se shpejtësia e erërave mund të arrijë deri në 185 km/h në momentin e afrimit me bregun.
PAGASA u ka bërë thirrje banorëve në zonat e ulëta dhe bregdetare që të evakuohen menjëherë drejt zonave më të larta dhe të shmangin çdo aktivitet detar, pasi dallgët dhe shirat e fuqishëm mund të shkaktojnë përmbytje masive.
Në kuadër të masave parandaluese, qeveritë lokale kanë pezulluar procesin mësimor për ditën e hënë, ndërsa kompania ajrore Philippine Airlines ka anuluar disa fluturime për shkak të kushteve të motit.
Paralajmërimi për Fung-wong vjen vetëm disa ditë pas goditjes së tajfunit Kalmaegi, i cili shkaktoi mbi 200 viktima në Filipine dhe pesë në Vietnam, duke lënë pas dëme të mëdha materiale, ndërprerje të energjisë dhe zhvendosje masive të popullsisë.
Ndërkohë, Tajlanda raportoi reshje të dendura dhe përmbytje si pasojë e stuhisë Kalmaegi.
Ekspertët e klimës paralajmërojnë se tajfunet si Kalmaegi dhe Fung-wong po bëhen gjithnjë e më të fuqishme për shkak të ngrohjes globale, ndërsa vendet e Azisë Juglindore, përfshirë Filipinet dhe Vietnamin, mbeten ndër më të ekspozuarat ndaj këtyre fenomeneve ekstreme të motit.