Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë.
Në konferencën e parë të KQZ-së për ditën e balotazhit, Elezi bëri të ditur se procesi i votimit ka nisur me kohë në të gjitha Qendrat e Votimit, njofton Dukagjini.
“Gjatë ditës së sotme, procesi zgjedhor do të zhvillohet në 525 Qendra të Votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1,628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra, nga një për çdo komunë ku mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve, me 20 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht”, u shpreh Elezi.
Tutje, Elezi u shpreh se qendrat e votimit me kusht janë hapur me kohë në të gjitha komunat e balotazhit.
“Sa i përket qendrave të votimit me kusht, nga një është në çdo komunë të vendit, të gjitha janë hapur me kohë, raportimet të cilat i kemi pranuar përfshinë njoftimet për çdo qendër të votimit”, tha Elezi.
Kujtojmë se përveç organizimit të votimit në vendvotime të rregullta, KQZ do të organizojë votimin edhe përmes ekipeve mobile/lëvizëse për 2,541 votuesit me nevoja të veçanta, të cilët janë regjistruar dhe evidentuar paraprakisht.
Balotazhi do të mbahet në këto komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.