Kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se subjekti i tij ka shënuar sukses në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, duke fituar gjithsej shtatë komuna.
Kurti tha se, sipas të dhënave të siguruara nga komisionerët e VV-së, partia ka arritur të fitojë në Mitrovicë, Fushë Kosovë dhe Obiliq, ndërsa theksoi se kjo përbën një rezultat historik për Lëvizjen.
“LVV është e hera ë katërt që merr pjesë në zgjedhje lokale, herën e parë kemi fituar një komunë në 2013, herën e dytë në 2017 kemi fituar tri komuna, herën e tretë në 2021 kemi fituar katër komuna dhe në bazë të të dhënave që I kemi marrë nga komisonerët tanë kësaj radhe kemi fituar në 7 komuna, ky është një sukses i LVV, kemi synuar edhe më shumë se kaq”, ka deklaruar Kurti.
“Është e qartë që kemi fituar në Mitrovicë, në Fushë Kosovë dhe në Obiliq… Te gjithë të tjerët janë bashkuar kundër VV-së. Pra Vetvënedosje është ballafaquar me të përbashktën e tyre e cila është një situatë e paprecedent në historinë politike-elektorale të Kosovës. Ky është sukses i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i qytetarëve”, u shpreh tutje Kurti.
Kreu i VV-së tha se po pret rezultatet përfundimtare edhe nga komunat e tjera, ndërsa njoftoi se do t’u bashkohet festimeve në Fushë Kosovë, Kastriot dhe Mitrovicë.