Ish-emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë luftës në Kosovë, Christopher Hill, do të jetë dëshmitari i radhës i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Hill pritet të fillojë dëshminë e tij në orën 14:00, ndërsa seanca do të zgjasë deri në orën 17:00.
Hill luajti një nga rolet kryesore në negociatat që i paraprinë konferencës në Rambuje në vitin 1999.
Ai ishte i përfshirë në negociatat me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe mori pjesë në përpjekjet diplomatike rreth Marrëveshjes së Rambujesë.
Kujtojmë se në shtator, një tjetër ish-diplomat amerikan, James Rubin, dëshmoi para trupit gjykues në kuadër të mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe bashkëluftëtarëve të tij, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.