MPJD zhvillon takime zyrtare në Republikën e Qipros

Një delegacion i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës, i përbërë nga Mentor Tahiri, Drejtor për Evropë, BE dhe Rajon, dhe Fitor Murati, Udhëheqës i Divizionit për Evropë/BE, realizoi një sërë takimesh zyrtare në Republikën e Qipros.

Delegacioni u mirëprit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Akademinë Diplomatike të Qipros, ku u diskutua lidhur me mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe forcimit të dialogut diplomatik ndërmjet dy vendeve.

Gjithashtu, në Parlamentin e Qipros, delegacioni u prit nga z. Harris Georgiades, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Evropiane. Ky takim shërbeu si mundësi për shkëmbim mendimesh dhe për përcjelljen e mesazhit të Kosovës për ndërtimin e urave të reja të miqësisë dhe bashkëpunimit me Qipron.

Është kjo hera e parë që zyrtarë të lartë të MPJD-së pranohen në një vizitë zyrtare në Qipro. Vizita merr rëndësi të veçantë duke pasur parasysh se nga 1 janari 2026, Qiproja merr Presidencën mbi Këshillin e Bashkimit Evropian, periudhë e rëndësishme për agjendën e zgjerimit dhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Takimet u zhvilluan në kuadër të vizitës së përbashkët të përfaqësuesve të Ministrive të Punëve të Jashtme të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të facilituara nga GIZ.