Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka nisur verifikimin e votave për kryetarët e komunave në balotazhin që u zhvillua të dielën në 18 komuna.
Procesi ka filluar të hënën dhe po kryhet në të gjitha qendrat komunale të numërimit, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Verifikimi i rezultateve ka filluar në të gjitha qendrat komunale të numërimit dhe do të bëhet duke ofruar transparencë të plotë si dhe në prezencë të vëzhguesve”, ka deklaruar Elezi para mediave.
Numërimi i votave me kusht, i atyre të personave me nevoja të veçanta dhe i votave me postë do të fillojë pas disa ditësh.
Elezi ka theksuar se më shumë se 1,440 qytetarë me nevoja të veçanta kanë votuar përmes ekipeve mobile, ndërsa janë regjistruar 29,725 votues për t’u përfshirë në procesin e votimit me postë.
Elezi, ka bërë të ditur se shpallja e rezultateve përfundimtare do të bëhet pasi të përfundojë procesi i verifikimit dhe numërimi i të gjitha fletëvotimeve, përfshirë ato me kusht, për personat me nevoja të veçanta dhe votat me postë.
Ai ka sqaruar se, sipas planifikimeve, rezultatet përfundimtare mund të shpallen brenda një jave deri në 10 ditë.
Të dielën, qytetarët vendosën për kryetarët e komunave në Prishtinë, Prizren, Pejë, Junik, Dragash, Gjakovë, Kaçanik, Fushë-Kosovë, Mitrovicë të Jugut, Rahovec, Suharekë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Obiliq, Klinë, Mamushë dhe Kllokot.
Nga 38 komunat e Kosovës, 20 e kanë vendosur kryetarin që në raundin e parë më 12 tetor.
Nga balotazhi i fundit, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë fituar nga shtatë komuna, PDK-ja ka fituar gjashtë, AAK-ja pesë, ndërsa Lista Serbe ka siguruar 10 komuna.
