Ish-emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë luftës në Kosovë, Christopher Hill, ka treguar se për herë të parë ishte përfshirë në çështjen Kosovës në maj të vitit 1998, pas një kërkese të drejtpërdrejtë nga sekretarja amerikane e Shtetit e asaj kohe, Madeleine Albright.
Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në procesin gjyqësor kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hill u pyet nga avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Lluka Misetiq, për momentin kur kishte filluar angazhimin e tij në çështjen e Kosovës.
“Mora një telefonatë nga sekretarja e Shtetit e asaj kohe, Madeleine Albright, e cila më kërkoi që përveç detyrave të mia si ambasador amerikan në Maqedoni, të merrja përsipër edhe postin e të dërguarit të posaçëm në Kosovë”, ka thënë Hill.
Ai theksoi se gjatë asaj periudhe raportonte drejtpërdrejt te Albright dhe se angazhimi i SHBA-së kishte për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për konfliktin në Kosovë.
Duke folur për kontekstin politik të kohës, Hill theksoi se Kosova ishte një nga temat më të rëndësishme në Ballkan, por jo e vetmja.