Nga selia e Partisë Demokratike e deri në shatërvanin e qytetit historik, u nisën në këmbë.
Kolona e veturave, as turma e simpatizantëve që vinte para e pas tyre, e as shiu i imët nuk e zbehën gëzimin e buzëqeshjen e fitores për asnjë moment.
Memli Krasniqi në balotazh nuk ka zgjedhur ta vizitoj prap Mitrovicën por Prizrenin krah Shaqir Totajt, i cili fitoren e shpalli gati dy orë pas mbylljes së vendvotimeve.
“Para së gjithash është fitore e qytetarëve të Prizrenit është fitore e juaja edhe këtë me natë me shi ky është bereqet për Prizrenin….”, ka deklaruar Memli Krasniqi – Kryetar i PDK-së.
“Kjo fitore iu takon qytetarëve të Prizrenit pa dallim partie sepse qytetarët e Prizrenit kanë ditur me fitu e me vlerësu punën, kanë ditë me vlerësu performancën”, ka deklaruar Shaqir Totaj – Kryetar i Prizrenit.
Koalicioni për bashkëqeverisje me LDK-në, Shaqir Totajt ia siguroi fitoren me gati 54% të votave, mbi 25 mijë votues.
Lëvizjes Vetëvendosje dhe Artan Abrashit bashkëpunimi me Zafir Berishën ua solli gati 22 mijë votues ose 46.14% të votave, të pamjaftueshme përballë PDK-së.
Humbja nuk e pengoi Abrashin që sot në mëngjes ta uroj Totajn për fitoren duke u zotuar se do ta vazhdojnë angazhimin për Prizrenin.
Në qytetin e dytë më të madh në Kosovë me gati 189 mijë votues, pjesëmarrja ishte relativisht e ulët, gati 25% e tyre e shfrytëzuan të drejtën e votës.
Në gjithë Rajonin e Prizrenit deri pas mesditës procesi eci pa asnjë incident, ndërkaq rreth orës 15:30 u raportua për një të tillë në Korishë, porse doli se nuk ishte i lidhur me procesin e zgjedhjeve.
Edhe në Suharekë do të mbetet në pushtet kryetari aktual. Bali Muharremaj nën logon e AAK-së, e mposhti kundërkandidatin nga LDK, Ardian Shalën.
As në Dragash nuk do të ndryshojë emri i kryetarit edhe për 4 vjet.
Bexhet Xheladini nga LDK me mbi 58% të votave e mposhti Shaban Shabanin e PDK-së i cili nuk i arriti as 42% të totalit të votave.
Mamusha, komuna më e vogël me territor e me popullsi në këtë rajon, u karakterizua me pjesëmarrjen më të madhe në votime.
Mbi 67% e gati 4400 votuesve kryesisht të komuniteti turk, dolën e votuan, dhe vendosën që Abdul Krasniqi ta qeverisë Mamushën.