Epilogu i zgjedhjeve lokale: LVV-ja dhe LDK-ja fitojnë nga 7 komuna, PDK-ja 6, AAK-ja 5

Lidhja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje do të qeverisin me nga shtatë komuna, Partia Demokratike me gjashtë, AAK-ja me pesë, Nisma me një, Ramiz Lladrovci me një. Ky është epilogu i zgjedhjeve lokale në Kosovë. Ndërsa nga komunitetet jo shumicë, Lista Serbe do që qeveris me dhjetë komuna, ndërsa KTDP me një

Lëvizja Vetëvendosje është partia e vetme që ka arritur të rris komunat e fituara në zgjedhjet lokale krahasuar me ato të kaluara.

Pos që e ka ruajtur pushtetin në katër komuna ku ka qenë duke qeverisur, ka arritur të fitojë edhe në tri komuna të reja – Mitrovicë e Jugut, Fushë Kosovë e Kastriot.

Po në balotazh, VV-ja e rikonfirmoi edhe qeverisjen për katër vjet të tjera në Gjilan.

Ndërsa, në rundin e parë kishte ri-konfirmuar pushtetin në Podujevë, Kamenicë dhe Shtime.

Prej komunave, nga balotazhi partia e Albin Kurtit dy arriti t’i fitoi në garë me LDK-në e një me PDK-në.

“Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve”, ka deklaruar Albin Kurti- kreu i LVV-së.

Kështu, partia e Lumir Abdixhikut nga 9 komuna sa ka qenë duke i qeverisur, i ka humbur 2 dhe pushtetin e mban në 7, përfshirë kryeqytetin Prishtinën, Pejën, Vitinë, Sharrin e Junikun.

“Pas rezultatit të fundit nacional, ky rezultat i djeshëm është sinjal i një force që qëndron, rritet e forcohet. Fitoret e komunat nuk na qëndrojnë të garantuara; ato fitohen apo humben nga fillimi në secilën garë”, ka deklaruar Lumri Abdixhiku, kreu i LDK.

Në një komunë më pak se LDK-ja e LV-ja do të qeverisë Partia Demokratike, që në rundin e dytë fitoi në Prizren, Vushtrri dhe Kaçanik – komuna ku veçse ishte në pushtet.

PDK-ja kishte rikonfirmuar pushtetin në Ferizaj, Skenderaj dhe Han të Elezit, pa balotazh.

Ndërsa kishte humbur Drenasin, në garën ndaj ish-anëtarit të saj Ramiz Lladrovci.

“Disa gara kanë qenë më të vështira, madje edhe të pabarabarta. Por për ne, çdo përpjekje e ndershme është fitore në vetvete, sepse PDK nuk e mat suksesin vetëm me numra, por me qëndresën, qetësinë dhe përgjegjësinë me të cilat e përfaqëson qytetarin në çdo rrethanë”, ka deklaruar Memli Krasniqi – kreu i PDK.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në balotazh siguroi vazhdimin e qeverisjes për katër vjet në Gjakovë, Suharekë, Klinë dhe Rahovec.

Kjo parti do të ketë pushtet në gjithsej pesë komuna, përfshirë Deçanin – ku kishte fituar qysh në rundin e parë.

“Dita e djeshme konfirmoi fuqinë politike dhe stabilitetin e Aleancës. Kemi triumfuar në 5 komunat ku kemi qeverisur, ndërsa do të jemi në bashkëqeverisje në mbi 10 komuna”, ka deklaruar Ramush Haradinaj – kreu i AAK.

Pas garës, një person në gjithë Kosovën deri tani mori përgjegjësinë për humbje  – Xhafer Gashi i LDK-së, që dha dorëheqje nga strukturat e kësaj partie, si pasojë e rezultatit.

Ndërkohë, nga komunitetet, në rundin e dytë, pas marrëveshjes me kundër-kandidatin, Lista Serbe fitoi Kllokotin. Ndërsa, pa balotazh kishte fituar në nëntë komunat tjera me shumicë serbe.

E Partisë Demokratike Turke të Kosovës iu desh rundi i dytë për të siguruar vazhdimin e pushtetit në Mamushë.

Shija e redaktorit

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Të fundit nga rubrika