Hannibal Gaddafi, djali më i vogël i ish-udhëheqësit libian Muamar Gaddafi, është liruar nga paraburgimi në Liban pas 10 vjetësh ndalimi pa gjyq, njoftoi agjencia kombëtare e lajmeve libaneze NNA, duke cituar Reuters.
Gaddafi ishte arrestuar në vitin 2015 nga autoritetet libaneze, nën akuzën për fshehje informacioni lidhur me zhdukjen e klerikut shiit Imam Musa al-Sadr dhe shoqëruesve të tij gjatë një udhëtimi në Libi në vitin 1978. Ai në atë kohë ishte vetëm dy vjeç dhe nuk mbante asnjë funksion zyrtar në regjimin e babait të tij.
Para arrestimit, Hannibal Gaddafi ishte rrëmbyer nga ekstremistët në Siri, ku jetonte në mërgim me bashkëshorten dhe fëmijët e tij, pas vrasjes së Muamar Gaddafit gjatë kryengritjes në Libi në vitin 2011.
Organizatat e të drejtave të njeriut kanë dënuar rrethanat e ndalimit të tij, duke i cilësuar akuzat si të pabazuara.
Në vitin 2023, ai kishte hyrë në grevë urie për të protestuar ndaj burgosjes së tij, çka çoi në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore dhe shtrimin e tij në spital.
Muajin e kaluar, gjyqësori libanez kishte urdhëruar lirimin e tij, duke vendosur një garanci prej 11 milionë dollarësh për kushtet e lirimit.