Senati amerikan e ka miratuar një projektligj kyç që mund t’i japë fund brenda disa ditësh mbylljes më të gjatë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Projektligji është miratuar me shumicë të thjeshtë – 60 vota për dhe 40 kundër.
Pothuajse të gjithë republikanët kanë votuar për, ashtu sikurse tetë demokratë, të cilët janë ndarë nga partia për ta miratuar dokumentin.
Marrëveshja parasheh që Qeveria të financohet deri në fund të janarit.
Tani duhet që Dhoma e Përfaqësuesve ta miratojë projektligjin para se presidenti amerikan, Donald Trump ta nënshkruajë atë për të hyrë në fuqi. Trump ka dhënë sinjale se ka gatishmëri për ta nënshkruar të.
Marrëveshja është arritur në fundjavë, pasi disa demokratë u janë bashkuar republikanëve dhe e kanë nënshkruar një marrëveshje për t’i kthyer punëtorët federalë në punë, dhe për rikthimin e shërbimeve thelbësore.
Shumë shërbime qeveritare janë pezulluar prej tetorit dhe rreth 1.4 milion punëtorë federalë janë në pushim pa pagesë, ose janë duke punuar pa pagesë.
Mbyllja e Qeverisë ka ndikuar në shumë shërbime, sidomos në trafikun ajror dhe në ndarjen e ndihmave për 41 milionë amerikanë me të ardhura të ulëta.
Vetëm të hënën, më shumë se 2.400 fluturime në Shtetet e Bashkuara janë anuluar, ndërsa mbi 9.000 të tjera janë shtyrë.
Nëse Qeveria amerikane do të mbetet e mbyllur për një periudhë më të gjatë, rritja ekonomike mund të marrë drejtim negativ në çerekun e katërt, sidomos nëse trafiku ajror nuk i kthehet normalitetit deri për Festën e Falënderimeve, sipas këshilltarit ekonomik të Shtëpisë së Bardhë, Kevin Hasset.
Festa e Falënderimeve shënohet këtë vit më 27 nëntor./RadioEvropaeLirë