Kryetari aktual i komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka kërkuar që të shkarkohen dy përfaqësuesit aktualë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në një postim në Facebook, Nura ka thënë se sjellja e tyre ka qenë “për keqardhje dhe në kundërshtim me interesat e partisë”, duke shtuar se ata nuk kanë reaguar ndaj fyerjeve e sulmeve të përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë mbledhjeve të KQZ-së.
“Në vend që të kontribuojnë në mbrojtjen e qëndrimeve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të reagojnë ndaj fyerjeve dhe sulmeve të përsëritura nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjet e KQZ-së, këta anëtarë kanë dështuar të mbrojnë dinjitetin dhe qëndrimet politike të partisë. Sjellje të tilla dëmtojnë imazhin dhe besueshmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës në një institucion të rëndësishëm siç është KQZ-ja”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai i ka bërë thirrje kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi që të ndërmarrë menjëherë masa për lirimin e tyre nga detyra dhe zëvendësimin me përfaqësues “me integritet të lartë profesional e politik”, të cilët, siç tha, do të mbrojnë me dinjitet interesat e partisë dhe votën e qytetarëve.