Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas dyshimeve për parregullsi në procesin e numërimit të votave në Mitrovicë, duke njoftuar se partia ka ndërmarrë të gjithë hapat për mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve.
Në një postim në Facebook, Krasniqi ka bërë të ditur se sot PDK do të dorëzojë ankesën zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndërsa në orën 12:00 do të mbajë një konferencë për media për të sqaruar detajet e veprimeve të saj.
“Pa paragjykuar rezultatin përfundimtar, PDK kërkon që çdo procedurë të trajtohet me transparencë, drejtësi dhe në përputhje me ligjin, në mënyrë që besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor të mbetet i plotë”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se çdo votë është “zëri i qytetarit dhe themeli i demokracisë”, duke shtuar se PDK është e vendosur ta mbrojë integritetin e zgjedhjeve “me përgjegjësi, qetësi dhe bindjen e plotë se e vërteta do të dalë në dritë”.