Kompania që shtyp fletëvotimet thotë se gabimi ishte teknik, “falsifikimi i votave i pamundur”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se ka marrë një sqarim zyrtar nga kompania përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, lidhur me gabimin e evidentuar gjatë zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.

Sipas KQZ-së, hetimi i kompanisë ka treguar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit.

Sistemi i kontrollit thuhet se monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), prandaj gabimi nuk u detektua gjatë shtypjes.

CETIS, kompania përgjegjëse, ka pranuar përgjegjësinë për gabimin teknik, duke theksuar se fletëvotimet përmbajnë elemente sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin apo kopjimin e tyre.

“Procesi ynë i prodhimit dhe kontrollit të cilësisë së fletëvotimeve kërkon verifikimin e numrit serik në çdo deng prej 50 fletëvotimesh. Çdo deng përfshin një kod QR për të siguruar që çdo qendër votimi të marrë sasinë dhe përmbajtjen e saktë të fletëvotimeve sipas planit të shpërndarjes. Përveç numrit serik, çdo fletëvotim përmban edhe numrin e qendrës së votimit. Këta dy elementë – numri serik (kodi QR) dhe numri i qendrës së votimit – shtypen nga koka/pllaka të veçanta ngjyre të pozicionuara në vende të ndryshme në fletëvotimin. Hetimi ynë i brendshëm zbuloi se problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit. Fatkeqësisht, ky gabim nuk mund të zbulohet gjatë printimit sepse i gjithë procesi i kontrollit bazohet në monitorimin e numrit serik. Nga një perspektivë teknike, kjo do të thotë që koka/pllaka e printimit, përgjegjëse për numrin e qendrës së votimit, ka pasur një keqfunksionim, gjë që nuk është zbuluar gjatë prodhimit”, thuhet në sqarimin e kompanisë në fjalë.

Kompania ka shprehur keqardhje për incidentin dhe konfirmon se do të bashkëpunojë plotësisht me KQZ-në për hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve.

“Pavarësisht zbatimit të masave gjithëpërfshirëse të sigurisë dhe kontrolleve të rrepta bazuar në standardet më të larta të cilësisë dhe sigurisë, ne marrim përgjegjësi të plotë për këtë gabim, i cili në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte. Fletët e votimit përfshijnë disa elementë sigurie që nuk mund të replikohen, prandaj besojmë se falsifikimi nuk mund të ketë qenë i mundur. Thellësisht na vjen keq që një incident i tillë ndodhi pavarësisht të gjitha masave parandaluese, përfshirë ekzaminimin personal nga ekipi juaj në ambientet tona të prodhimit”, thuhet tutje nga kompania.

KQZ ka njoftuar gjithashtu Prokurorinë e Shtetit për këtë çështje.

Shija e redaktorit

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Të fundit nga rubrika