Është caktuar prokuror i ri për hetimin e rastit të fletëvotimeve në Mitrovicë.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka konfirmuar për Dukagjinin se prokurori Sahit Tmava nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë është caktuar si prokuror i rastit, me qëllim të sigurimit të një trajtimi sa më objektiv dhe pa dyshime për konflikt interesi.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit është njoftuar nga U.d Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, z. Nijazi Rexha, se me qëllim të eliminimit të çdo dyshimi dhe trajtimit sa më objektiv të kësaj çështjeje, si prokuror i rastit është caktuar prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, z. Sahit Tmava”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ky vendim është marrë pas kërkesës që ministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i ka dërguar ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, për përjashtimin e kryeprokurorit Nijazi Rexha nga trajtimi i këtij rasti.
Sallahu në shkresën e tij kishte theksuar se bashkëshortja e kryeprokurorit Rexha, Nafije Rexha, ishte kandidate për asamble komunale nga radhët e PDK-së në zgjedhjet e 12 tetorit, ndaj ekziston mundësia e konfliktit të interesit.
Sallahu kërkon përjashtimin e kryeprokurorit të Mitrovicës nga rasti i fletëvotimeve
Prokuroria urdhëron rifillimin e numërimit të fletëvotimeve në Mitrovicën e Jugut