Zyrtari i Inteligjencës së Policisë pjesë e organizimit të VV-së, Policia: Ishte jashtë detyrës

Një zyrtar i Inteligjencës së Policisë së Kosovës është parë duke marrë pjesë në aktivitetin e Vetëvendosjes në përvjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, që sipas ligjit për Policinë përbën shkelje. Rasti është dërguar nga Inspektorati Policor i Kosovës te Hetimet e Brendshme të Policisë për trajtim, e ky institucion dha sqarimet për rastin

Në përvjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, me 5 nëntor, për çdo vit Lëvizja Vetëvendosje organizon aktivitetin e dhurimit të gjakut.

Por, në përvjetorin e nëntë, pjesëmarrës ishte edhe një zyrtar i lartë policor, të cilit aktiviteti politik i ndalohet me ligj.

Fotografia e Kreshnik Xhafollit ishte publikuar fillimisht nga vet Qendra Kombëtare për Transfuzion të Gjakut por pastaj e njëjta është fshirë.

Siç mëson televizioni, Xhafolli është polic i Kosovës nga viti 2021 dhe aktualisht është i angazhuar në departamentin e Inteligjencës së Policisë së Kosovës.

Në ngjarjen në fjalë, pjesëmarrës ishin zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes, përfshirë kryetarin e kryeministër në detyrë, Albin Kurti.

Pjesëmarrja në këtë aktivitet politik me qëllim humanitar, policit nuk i lejohet bazuar në dy akte normative.

Fillimisht, veprimi i zyrtarit policor bie ndesh edhe me Udhëzimin administrativ për shkeljet, masat dhe procedura disiplinore në Policinë e Kosovës.

Neni 20 i këtij udhëzimi, shpjegon se çka konsiderohet sjellje e rëndë diskredituese, e në pikën 13 është edhe pjësëmarrja në aktivitete politike.

Gjithashtu, bazuar në nenin 49 të Ligjit për Policinë, prania e policit Xhafolli së bashku me aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë, Albin Kurtin mund të përbëjë edhe konflikt interesi.

Ligji e specifikon se “Personeli policor nuk do të pranojë një pozitë apo obligim, dhe nuk do të jetë pjesëmarrës në çfarëdo funksioni apo aktiviteti, i cili krijon konflikt të interesave me detyrat zyrtare të policisë”.

Televizioni Dukagjini për këtë ka pyetur organin që monitoron Policinë e Kosovës, IPK-në dhe ata po thonë se pas trajtimit, rasti është përcjell PK-së.

Bazuar në kërkesën tuaj ju njoftojmë se IPK krahas kërkesës suaj ka pranuar edhe informacione lidhur me këto pretendime dhe bazuar në autorizimet ligjore rasti është përcjellë në Policinë e Kosovës për të vërtetuar këto pretendime dhe për të trajtuar rastin në aspektin administrativ/disiplinor”-Inspektorati Policor i Kosovës

Por, Policia e Kosovës, thotë se ai mori pjesë individualisht, jashtë detyrës zyrtare, siç parashihet me procedura të brendshme, duke e cilësuar aktivitetin krejtësisht humanitar.

Ky veprim nuk është realizuar në cilësinë e tij zyrtare dhe se dhurimi i gjakut është një akt human dhe vullnetar, i cili nuk kufizohet apo ndalohet për asnjë qytetar apo zyrtar policor, pavarësisht motiveve personale apo emocionale që mund ta nxisin këtë veprim. Megjithatë Policia e Kosovës bënë verifikim të plotë të rrethanave nëse pjesëmarrja e përmendur ka qenë komfor parimeve dhe procedurave te Policisë se Kosovës, për të konstatuar ndonjë shkelje të dispozitave ligjore apo të etikës profesionale. -Policia e Kosovës

Redaksia ka komunikuar edhe me vet zyrtarin policor por i njëjti deri në momentin e publikimit të kësaj kronike nuk i është përgjigjur pyetjeve.

Kujtojmë që në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, një hetues i Policisë së Kosovës ishte suspenduar pasi që dyshohej që kishte marr pjesë në një tubim politik të PDK-së.

Më pas i njëjti u rikthye në detyrë pasi që pretendimet ndaj tij ishin të pasakta.

Shija e redaktorit

Distria Krasniqi ia siguron Kosovës medaljen e artë në Kroaci

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në Grand Prixin që po mbahet në Zagreb të Kroacisë. Krasniqi ka vazhduar dominimin e plotë...

Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të nxënësit,...

Një epokë e re e të mësuarit ka nisur për nxënësit e klasave të para! Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të parë...

Panairi i Librit në Tiranë: “Dukagjini” me 50% zbritje, stenda...

Në Tiranë ndihet kudo aroma e librit! Panairi i 28-të i Librit në Pallatin e Kongreseve ka hapur dyert dhe, si çdo vit, Shtëpia...

Të fundit nga rubrika