Krimet e dokumentuara të ushtrisë serbe u heshtën, ndërsa u gjykua një rast që s’ndodhi kurrë në Kosovë

Hetimet për “snajper-turizmin” e organizuar nga ushtria serbe në Sarajevë rikthejnë pyetjen e madhe: Pse drejtësia ndërkombëtare heshti për krimet reale, ndërsa ngriti akuza për një rast të fabrikuar në Kosovë?

Një hetim i ri i nisur këtë javë nga prokuroria italiane po trondit opinionin ndërkombëtar: prokurorët në Milano po hetojnë rolin e qytetarëve italianë që dyshohet se kanë paguar anëtarë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës për t’u lejuar të qëllonin mbi civilët e Sarajevës gjatë rrethimit katërvjeçar nga forcat e Radovan Karaxhiçit — një prej krimeve më makabre të luftës së Bosnjës, shkruan The Guardian, transmeton Dukagjini.

Gjatë viteve 1992–1996, Sarajevë u mbajt nën rrethimin më të gjatë në historinë moderne, ku mbi 10 mijë njerëz u vranë nga bombardimet dhe zjarri i snajperëve. Tani, dëshmitë e reja sugjerojnë se ushtria serbe dhe strukturat nën vartësinë e Beogradit zyrtar jo vetëm që ushtruan terror sistematik ndaj popullsisë boshnjake, por edhe organizuan “safari të vdekjes”, ku të huaj të pasur paguanin për të marrë pjesë në gjuetinë e njerëzve nga kodrat e qytetit.

Dosja 17-faqëshe e gazetarit italian Gavazzeni, dëshmia e oficerëve të inteligjencës boshnjake dhe dokumentari “Sarajevo Safari” (2022) zbulojnë një sistem të organizuar vrasjesh për argëtim, i cili — nëse konfirmohet — përbën një nga krimet më të pështira të luftës në Bosnjë.

Por pikërisht këtu lind kontrasti më skandaloz: Krimet e dokumentuara të ushtrisë serbe në Sarajevë — asnjëherë të hetuara deri sot nga drejtësia ndërkombëtare. Ndërsa një akuzë e fabrikuar në Kosovë – trafikimi i organeve – u ngrit si proces ndërkombëtar kundër ish-liderëve të UÇK-së.

Kjo dilemë u ngrit publikisht në dhjetor të vitit 2022 nga historiani dhe ish-diplomati Ylber Hysa, në dokumentarin hulumtues “Dosjet Speciale – Historia e bashkëpunimit të Serbisë me Gjykatën Speciale”, i prodhuar nga Opinion / TV Klan dhe Albanian Post.

Në këtë dokumentar — i cili trajton mënyrën se si narrativat serbe depërtuan në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë — Hysa theksonte se ndërsa Serbia kreu krime sistematike në Bosnjë dhe Kosovë, drejtësia ndërkombëtare shpesh mbylli sytë.

Ai rikujtonte se ndërsa dhunimet masive dhe krimet e organizuara ishin pjesë e një strategjie shtetërore, fokusi ndërkombëtar papritur devijoi drejt një tregimi të paverifikuar politik për Kosovën — “trafikimin e organeve” — i cili, sipas tij, “nuk ekzistonte dhe nuk u vërtetua kurrë”.

Hysa theksonte se ndërkohë që Serbia organizonte sisteme makabre, si “safari i snajperëve”, një rast që sot po hetohet nga prokurorët italianë, Tribunali i Hagës nuk ngriti asnjëherë aktakuzë për këtë krim, ndonëse ekzistonin dëshmi, video dhe raportime.

Hysa kujtonte gjithashtu shembullin e shkrimtarit rus Eduard Limonov, i cili është filmuar duke qëlluar me mitraloz mbi civilët e Sarajevës — provë e drejtpërdrejtë e krimit — por që nuk u ndoq kurrë penalisht nga gjykatat ndërkombëtare.

Pse drejtësia ndërkombëtare hesht për Sarajevën, por jo për akuzat e fabrikuara kundër UÇK-së?

Ky është sot thelbi i debatit. Hetimi italian po e zbulon një kapitull të ri dhe të errët të krimeve serbe që për dekada ishte mbuluar nga heshtja.

Ndërsa për Kosovën, një akuzë e padëshmuar – ajo e trafikimit të organeve – u trajtua si çështje e madhe ndërkombëtare, duke çuar në aktakuza ndaj udhëheqësve të UÇK-së. Sot, shumë analistë e shohin këtë si një përdorim selektiv të drejtësisë, i ndikuar nga presionet politike dhe nga narrativa të fabrikuara.

Hetimi i Italisë rikthen në qendër të vëmendjes atë që për vite të tëra është shmangur:
krimet e ushtrisë serbe të organizuara dhe të strukturuara u lanë në harresë, ndërsa viktimat kërkojnë ende drejtësi.

Dhe pyetja e ngritur nga Ylber Hysa në dhjetor 2022 — në dokumentarin “Dosjet Speciale” — sot bëhet edhe më e fuqishme:

Si është e mundur që një gjueti makabre njerëzish në Sarajevë të mos ketë pasur kurrë gjyq ndërkombëtar, ndërsa një ngjarje e paekzistentë në Kosovë u shndërrua në proces të Hagës?

Ky kontrast po vendos më në fund drejtësinë përballë pasqyrës së vet.

Shija e redaktorit

Distria Krasniqi ia siguron Kosovës medaljen e artë në Kroaci

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në Grand Prixin që po mbahet në Zagreb të Kroacisë. Krasniqi ka vazhduar dominimin e plotë...

Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të nxënësit,...

Një epokë e re e të mësuarit ka nisur për nxënësit e klasave të para! Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të parë...

Panairi i Librit në Tiranë: “Dukagjini” me 50% zbritje, stenda...

Në Tiranë ndihet kudo aroma e librit! Panairi i 28-të i Librit në Pallatin e Kongreseve ka hapur dyert dhe, si çdo vit, Shtëpia...

Të fundit nga rubrika