Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kushtrim Xhemaili, ka konfirmuar se partia nuk ka votë për Glauk Konjufcën, duke i reaguar kryetarit të degës së AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi.
Krasniqi dje, përmes një statusi në Facebook, kishte sugjeruar që AAK-ja të shqyrtojë mundësinë e bashkëpunimit me Konjufcën, duke theksuar se kjo mund të sjellë stabilitet institucional, të shmangë zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe të zgjidhë çështjen e presidentit.
“Nëse VV dhe Konjufca janë të sinqertë në këtë drejtim, unë besoj se Aleanca dhe kryetari Haradinaj do të dinë të marrin vendimin e duhur, si gjithmonë kur është fjala për të mirën e Kosovës”, kishte shkruar ai.
Megjithatë, Xhemaili ka theksuar se ide të tilla duhet të diskutohen brenda strukturave të partisë, në takimet zyrtare, dhe ka vënë në dukje se Krasniqi kishte munguar në mbledhjen e mbajtur të enjten.