
Në një ceremoni solemne të mbajtur në Tiranë, Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, iu akordua titulli i lartë “Doctor Honoris Causa”, një vlerësim i rëndësishëm që nderon kontributin e tij shkencor, profesional dhe shoqëror brenda dhe jashtë vendit.
Titulli u miratua dhe u akordua nga Universiteti Kombëtar Kapodistrian, një nga institucionet më të vjetra të arsimit të lartë në Evropën Juglindore, në bashkëpunim me Misionin Diplomatik për Siguri, Paqe dhe Filantropi (U.D.M.P) me seli në Bruksel.
Gjatë fjalës së tij, Rektori Hajrizi shprehu mirënjohje të veçantë për këtë vlerësim, duke e cilësuar atë si një motiv shtesë për të vazhduar misionin akademik dhe human.
“Është një nder i veçantë për mua që ky titull i lartë më jepet, dhe e marr këtë vlerësim si një përgjegjësi të madhe për të vazhduar me përkushtim punën për arsimin, inovacionin dhe shërbimin ndaj shoqërisë. Ky çmim merr edhe më shumë kuptim duke ardhur në muajin e festave të nëntorit, muaj që lidhet me krenarinë dhe identitetin tonë kombëtar. Me këtë motivim, do të vazhdoj të promovoj prosperitet, zhvillim të qëndrueshëm dhe vlera ndërkombëtare që na lidhin me botën demokratike”, u shpreh Rektori Hajrizi.
Në motivacionin zyrtar të çmimit theksohet se titulli i jepet: “Për kontributin juridik, ekonomik dhe në të drejtat e njeriut në shërbim të njerëzve në nevojë dhe të gjithë njerëzimit në mbarë botën”.
Ky vlerësim prestigjioz vjen si njohje për angazhimin e vazhdueshëm të Prof. Dr. Hajrizi në fushat e arsimit, inovacionit, sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe fuqizimit të komuniteteve.



