Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka deklaruar se sot me mendje dhe zemër do të jetë në protestën e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës në Strasburg.
Ahmeti vlerëson se aty nisi padrejtësi e madhe ndaj UÇK-së dhe popullit shqiptar, njofton Dukagjini.
Ahmeti teksa shpreh mbështetjen e pakursyer ndaj tyre, ka thënë se Gjykata Speciale në Hagë nuk po i gjykon ata mbi atë që është themeluar por po gjykon mbi shpifjet e Serbisë të sajuara nga Rusia.
“Sot me mendje e me zemër jam pranë bashkëkombësve që do të protestojnë në Strasburg, aty ku filloi padrejtësia e madhe ndaj UÇK-së dhe popullit shqiptar, para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Kjo gjykatë nuk po gjykon mbi atë për të cilën u themelua, por po gjykon mbi shpifjet e Serbisë të sajuara nga Rusia”.
“Hashimi, Kadriu, Rexhepi, Jakupi dhe të tjerët janë aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian dhe vendin e kanë në Kosovë. Pafajësia e tyre u konfirmua nga miqtë tanë amerikan e europian në Hagë, prandaj, lironi djemtë tanë. Padrejtësia duhet të merr fund menjëherë, i gjithë populli shqiptar është në këmbë për drejtësi për shenjtërinë e luftës sonë çlirimtare”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.