Avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi ka komentuar dëshminë e ish-gjeneralit të NATO-s, Wesley Clark, në Hagë, duke e cilësuar atë si një moment historik për proceset ndërkombëtare dhe për vetë Kosovën.
Ajo theksoi se Clark “nuk zbarkoi në Hagë me ushtri, por me të vërtetën”, duke kujtuar rolin e tij kyç në bashkëpunim me Hashim Thaçin dhe udhëheqësit e tjerë të UÇK-së gjatë luftës.
“Sot ai zbarkoi në Hagë jo me ushtri, por me të vërtetën që mbart me vete, meqenëse ka qenë aktori kryesor në bashkëpunim me pikërisht në këtë rast me Hashim Thaçin dhe liderët e tjerë. Udhëheqësit e UÇK-së kanë bërë luftën për çlirimin tonë”, tha ajo.
Gashi-Bytyqi vlerësoi lartë peshën historike të dëshmisë së Clarkut:
“Deklarata e tij sot ishte… konsideroj që në historinë e Tribunaleve Ndërkombëtare apo gjyqeve penale ndërkombëtare nuk besoj se ka dëshmuar sikur sot një person me një peshë të nivelit botëror, siç është gjenerali Wesley Clark”.
Ajo shtoi se dëshmia e tij do të hyjë edhe në historinë e Kosovës, pasi Clark paraqiti një pamje të plotë të mbështetjes ndërkombëtare për popullin e Kosovës:
“Kjo dëshmi e tij do të hyjë edhe në historinë e Kosovës, ngase siç e keni pa nga fillimi… ai e përshkruan një kronologji prej kur e kanë bërë projektin për ta përkrahur, mbështetur dhe mbrojtur popullin e Kosovës”, deklaroi avokatja.
