Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër dy personave, Y.Rr. dhe B.K., për dyshimin se kanë kryer veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin”.
Sipas aktakuzës, më 12 tetor 2025, në fshatin Budakovë të Komunës së Suharekës, i pandehuri Y.Rr. i ka ofruar 120 euro të pandehurit B.K., me qëllim që ky i fundit të votojë në favor të një kandidate për asamble komunale.
Për të verifikuar votimin, Y.Rr. ka kërkuar të shohë telefonin e B.K., pas së cilës i ka dorëzuar shpërblimin. Ndërkaq, B.K. akuzohet për pranimin e këtij përfitimi me qëllim ndikimin në votimin e tij.
“Sipas aktakuzës, më 12.10.2025, në fshatin Budakovë -Komuna e Suharekës, i pandehuri Y.Rr., ka ofruar përfitim të pa merituar në shumën 120 euro për të pandehurin B.K., me qëllim që ky i fundit të votojë në favor të kandidates për ansamble komunale, dhe për verifikimin e votimit, i pandehuri Y.Rr., ka kërkuar të shohë telefonin e B.K., pas së cilës i ka dorëzuar shpërblimin. Ndërkaq, i pandehuri B.K., akuzohet se ka pranuar këtë përfitim të pa merituar, me qëllim të ndikimit në votimin e tij”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes ka propozuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
