Projektligji i ri për Ushtrinë: Presidenti i Serbisë Vuçiq merr kontroll të drejtpërdrejtë mbi komandën ushtarake

Në seancën e së enjtes, më 20 nëntor, Qeveria e Serbisë ka miratuar Projektligjin për Ndryshimet në Ligjin për Ushtrinë Serbe, i cili faktikisht e bën Presidentin e Republikës, Aleksandar Vuçiq, Komandant Suprem të Forcave të Armatosura, duke kaluar nga retorika politike në fuqi të mirëfilltë ligjore.

Sipas ligjit aktual, Ushtria e Serbisë komandohet nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe oficerët, në bazë të ligjeve dhe akteve të komandës. Por me ndryshimet e reja, Presidenti do të ketë kompetencë direkte për t’i dhënë urdhra Shefit të Shtabit dhe oficerëve.

Në paragrafin e rishikuar të nenit 19 theksohet:

“Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Serbe komandon Forcat e Armatosura Serbe në përputhje me ligjin, vendimet e Presidentit të Republikës së Serbisë dhe aktet e komandës.”

Në arsyetimin e projektligjit thuhet se këto ndryshime synojnë rritjen e efikasitetit të funksionimit të Ushtrisë Serbe, si dhe përmirësimin e pozitës së anëtarëve profesionistë të saj. Qeveria kërkon miratimin e tij me procedurë urgjente, duke argumentuar se procedura e rregullt mund të shkaktonte “pasoja të dëmshme për sigurinë e vendit dhe punën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë Serbe”.

Prej vitesh, bashkëpunëtorët e afërt të Aleksandar Vuçiqit, përfshirë edhe ministrat e Mbrojtjes, e kanë quajtur shpesh atë “komandant suprem” në çështje të sigurisë dhe ushtrisë. Me kohë, vetë Vuçiqi e ka adoptuar këtë epitet. Kur nënshkroi vendimin për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ai deklaroi:

“Dua t’ju informoj se, si Komandant Suprem dhe President i Republikës së Serbisë, kam nënshkruar pëlqimin për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak për një periudhë prej 75 ditësh. Dua të besoj se Qeveria e Serbisë do ta miratojë këtë vendim.”

Ndryshimet e propozuara tani i japin kësaj deklarate mbështetje të drejtpërdrejtë ligjore raporton N1 përcjell Dukagjini.

Të fundit nga rubrika