Jeta Spahiu, bashkëshortja e Arbnor Spahiut, ka treguar për gjendjen e tij shëndetësore pas lirimit nga burgu të ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale Operative të Kosovës, i cili ishe ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus
Ajo në një përgjigje për Dukagjinin ka thënë se Arbnori është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se nuk ka pasur asnjë lëndim fizik gjatë periudhës së ndalimit.
Megjithatë, ajo thotë se ish-polici ka nevojë për qetësi dhe rikuperim emocional teksa pas lirimit është i rrethuar nga familjarët, njofton Dukagjini.
“Gjendja shëndetësore e Arbnorit është shumë e mirë dhe kjo është lehtësimi ynë më i madh pas gjithë asaj që ka kaluar. Ai nuk ka pasur keqtrajtime fizike gjatë periudhës së ndalimit, gjë që për ne është një bekim i madh. Natyrisht, pas një përvoje të tillë të rëndë dhe të padrejtë, ka nevojë për qetësi dhe rikuperim emocional. Momentalisht ai është pranë familjes, i rrethuar me dashuri, siguri dhe ngrohtësi, dhe kjo po e ndihmon jashtëzakonisht shumë në kthimin e tij gradual në normalitet”, ka thënë Spahiu për Dukagjinin.
Spahiu ka falënderuar të gjithë njerëzit për mbështetjen dhe fjalët e mira.
“Ne vlerësojmë jashtëzakonisht mbështetjen, interesimin dhe fjalët e mira nga njerëzit që kanë qëndruar pranë nesh gjatë kësaj periudhe të vështirë. Për momentin, fokusi ynë i vetëm është shëndeti, paqja dhe mirëqenia e Arbnorit”, u shpreh ajo.