Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj B.K., i cili më 21 nëntor u kap duke transportuar 120 kilogramë marihuanë nga Shqipëria drejt Kosovës.
Sipas njoftimit të Gjykatës, ai dyshohet për veprat penale të shitblerjes së paautorizuar të narkotikëve dhe mbajtjes pa leje të armëve.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri B.K., më datën 21.11.2025, me autobusin me targa …, ka transportuar substancë narkotike nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, me qëllim që substanca narkotike të dërgohet në vendet ndryshme evropiane. I pandehuri është ndaluar me autobusin të cilin po e drejtonte, në të cilin autobus, nën karrige kishte bunkerë të modifikuar ku janë gjetur qese najloni të cilat ishin të mbushura me substancë narkotike që dyshohet se është marihuanë dhe me peshë të përgjithshme rreth 120kg”, thuhet në njoftim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Një ditë më parë, Dogana e Kosovës njoftoi se autobusi u ndalua në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Autobusi nuk kishte pasagjerë në momentin e ndalimit.
