Ish-polici Arbnor Spahiu, i cili u lirua nga autoritetet serbe të premten në mbrëmje, e ka quajtur arrestimin e tij në qershor një proces të padrejtë dhe me motive politike.
“Dje në mesditë jam liruar nga burgu i Serbisë, ku kam qenë i arrestuar padrejtësisht që nga 7 qershori i këtij viti për akuza të rënda, të cilat kanë qenë pjesë e një procesi plotësisht politik dhe të padrejtë. Dua t’ju njoftoj se jam mirë, më i fortë se kurrë dhe mirënjohës për çdo mbështetje gjatë kësaj periudhe të vështirë”, ka shkruar ai në Facebook.
Spahiu falënderoi familjen, shoqërinë, bashkëfshatarët, ish-kolegët e Policisë së Kosovës, institucionet e vendit dhe gjithë shqiptarët për mbështetjen morale dhe emocionale, vizitat dhe fjalët e mira që i dhanë forcë familjes së tij.
Ai vlerësoi gjithashtu ndihmën financiare që ka marrë gjatë këtyre muajve.
Një falënderim i veçantë iu drejtua avokatit të tij kryesor, Gvozden Grgur, për profesionalizmin dhe përkushtimin në mbrojtjen e tij, si dhe përkthyesit që ka ofruar mbështetje të rëndësishme.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për çdo individ dhe çdo media që ka ndihmuar apo mbështetur në forma të ndryshme.
“Gëzimin që po shoh në sytë e njerëzve, dashurinë dhe lumturinë për lirimin tim, nuk mund ta përshkruaj me fjalë, është një ndjenjë e jashtëzakonshme”, ka shkruar ai.